Secondary Adv

Fluksi i pasagjerëve e fut Rinasin te aeroportet TEN-T që duhet të lidhen me hekurudhën

Me rreth 9.9 milionë pasagjerë mesatarisht në vit, Rinasi hyn në kategorinë TEN-T me detyrim lidhjeje deri në 2050.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës hyn në kategorinë e aeroporteve për të cilat standardet e reja të rrjetit trans-evropian të transportit (TEN-T) parashikojnë lidhje me hekurudhën ose me një sistem tjetër të transportit publik me kapacitet të lartë dhe emetime zero.


Çfarë nënkupton TEN-T?


TEN-T (Trans-European Transport Network) është rrjeti i transportit i Bashkimit Evropian që lidh vendet dhe qytetet kryesore përmes rrugëve, hekurudhave, porteve dhe aeroporteve. Qëllimi është krijimi i një infrastrukture të përbashkët, me standarde të njëjta sigurie, kapaciteti dhe lidhshmërie, në mënyrë që njerëzit dhe mallrat të lëvizin më shpejt dhe më lehtë në Evropë.


Shqipëria është pjesë e zgjerimit të këtij rrjeti drejt Ballkanit Perëndimor, përmes akseve strategjike si Korridori VIII, Korridori Adriatiko–Jonian dhe lidhjet me Kosovën e Malin e Zi. Përfshirja në TEN-T nënkupton edhe detyrimin për t’i përshtatur gradualisht këto akse me standardet evropiane.


Ku klasifikohet Rinasi aktualisht?


Rregullorja e re “Për udhëzimet e Bashkimit Evropian për zhvillimin e rrjetit trans-evropian të transportit” përcakton dy kategori sipas trafikut të aeroporteve. Për aeroportet TEN-T me mbi 12 milionë pasagjerë në vit kërkohet lidhje me rrjetin hekurudhor trans-evropian, përfshirë hekurudhën me shpejtësi të lartë kur është e mundur, në mënyrë që të ofrohen shërbime në distanca të gjata deri më 31 dhjetor 2040.


Për aeroportet me mbi 4 milionë dhe më pak se 12 milionë pasagjerë, afati është 31 dhjetor 2050. Lidhja mund të realizohet me rrjetin hekurudhor TEN-T ose me nyjen urbane përkatëse përmes hekurudhës, metrosë, hekurudhës së lehtë, tramvajit, teleferikut ose, në raste të jashtëzakonshme, përmes zgjidhjeve të tjera të transportit publik me emetime zero.


Rinasi aktualisht rezulton brenda intervalit të dytë. Aeroporti përpunoi rreth 7.26 milionë pasagjerë në vitin 2023, ndërsa TIA raporton se numri u rrit në 10.7 milionë në 2024 dhe 11.6 milionë në 2025. Këto shifra japin një mesatare prej rreth 9.9 milionë pasagjerësh në vit për periudhën 2023–2025.


Vetë rregullorja përcakton që për klasifikimin duhet të përdoret mesatarja më e fundit trevjeçare e disponueshme në momentin e hyrjes në fuqi, bazuar në statistikat e Eurostat dhe INSTAT. Megjithatë, të dhënat e publikuara nga aeroporti e vendosin qartë trafikun e Rinasit brenda fashës 4–12 milionë pasagjerë për tre vitet e fundit të plota.


Rinasi mund t’i afrohet pragut prej 12 milionë pasagjerësh


Rritja e shpejtë e aeroportit mund ta afrojë atë me pragun tjetër. TIA parashikon rreth 13.3 milionë pasagjerë për vitin 2026, pas rekordit prej 11.6 milionësh në vitin e kaluar.


Në rastin e Rinasit, standardi i ri nuk nis nga zero, pasi lidhja hekurudhore është tashmë pjesë e projektit Tiranë–Durrës. Sipas Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, projekti përfshin rehabilitimin e rreth 34.7 kilometrave të linjës mes terminalit të transportit publik të Tiranës dhe Durrësit dhe ndërtimin e një dege të re prej rreth 7.4 kilometrash drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Financimi është zgjeruar edhe për ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e linjës.


Kjo do të thotë se projekti në zbatim paraprin afatin e gjatë të rregullores. Standardi i ri, megjithatë, e bën lidhjen e aeroporteve me trafik të lartë pjesë të kërkesave të rrjetit TEN-T dhe jo vetëm një zgjedhje të politikës kombëtare të transportit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat